Një atentat i rëndë në Balldren të Lezhës, ku u ekzekutua çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, nuk mund të lexohet thjesht si një ngjarje kriminale e momentit, por si kulm i një konflikti të gjatë mes dy familjeve, Mujeci dhe Mhillaj, që ka nisur vite më parë dhe është ushqyer nga një zinxhir vendimesh gjyqësore të kontestuara dhe një ndjenjë e pambyllur drejtësie mes palëve.
Ngjarja e ka origjinën në vitin 2016, kur u regjistrua vrasja e Genc Mhillajt, për të cilën pas 10 vitesh, dje, u akuzua Kreshnik Mujeci dhe gruaja i tij. Megjithatë, proceset gjyqësore kanë dhënë vendime të ndryshme në kohë, përfshirë pafajësi në shkallë të parë dhe në apel, si dhe rikthim të çështjes për rigjykim më vonë nga Gjykata e Lartë. Kjo lëvizje e gjatë mes vendimeve ka krijuar një boshllëk të dukshëm mes asaj që thotë drejtësia formale dhe asaj që perceptohet si “drejtësi e pa përfunduar” në terren duke lënë djalin e të ndjerit të marrë hakun e babait.
Në këtë boshllëk, konflikti mes familjeve është transformuar nga një proces gjyqësor në një armiqësi të trashëguar. Sipas të dhënave hetimore, atentati është kryer nga tre persona të familjes Mhillaj, dy nipat e tij dhe Renato Mhillaj, djali, i cili ka humbur babain në moshë të re dhe është rritur në hijen e një konflikti të pazgjidhur. Por mënyra si ka përfunduar kjo histori tregon një devijim të plotë nga çdo logjikë e së drejtës, qoftë shtetërore apo zakonore.
Gjaku nuk falet, por zbatimi i Kanunit nga i riu duke shkelur parimet sjell hije të errëta në të ardhmen mes Mujecëve dhe Mhillajve. Në traditën zakonore, të Kanunit të Lek Dukagjinit, gratë dhe personat jashtë konfliktit konsideroheshin të paprekshëm, ndërsa në ngjarjen e djeshme viktimë ka qenë edhe bashkëshortja e Mujecit, duke lënë dy fëmijë jetimë pa baba dhe nënë, çka e largon ngjarjen nga çdo kornizë “rregulli” dhe e vendos plotësisht në logjikën e një hakmarrjeje të pakontrolluar. Sipas kanunit nuk vritet grua, kush vret i eliminohen 2 meshkuj për 1 grua dhe hyjnë në gjak 7 breza duke përkeqësuar klimën konfliktuale mes palëve.
Të dy familjet mbeten të bllokuara në një histori që drejtësia e vonuar nuk e ka mbyllur bindshëm për palët!