Vrasja e çiftit në Balldren, familjarët kërkojnë zgjerimin e pistave hetimore

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.04.2026, 11:24

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Ngjarja u regjistrua pasditen e së dielës, në momentin kur çifti po kthehej me automjetin e tyre drejt banesës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët dyshohet të kenë qenë dy persona, të cilët kanë hapur zjarr me armë automatike në drejtim të mjetit tip “Audi Q7”, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme çiftit. Nga të dhënat paraprake rezulton se sulmi është kryer në lëvizje.

Hetimet nuk janë kufizuar vetëm në pistën e hakmarrjes. Pas kërkesës ë familjarëve autoritetet po verifikojnë edhe konflikte të tjera të mundshme, pasi Kreshnik Mujeci raportohet të ketë pasur përplasje të vazhdueshme në zonë. Të afërm të tij kanë kërkuar zgjerimin e hetimeve, duke theksuar se një hasmëri e mëparshme konsiderohej e mbyllur.

Gjithashtu, mësohet se Mujeci kishte marrë pjesë në protesta në zonën e Rrjollit në Velipojë.

Në fokus të hetuesve është rikthyer edhe një ngjarje e ndodhur rreth 10 vite më parë në zonën e Malit të Jushit, ku ai ishte përfshirë në hetime për vrasjen e një banori nga Torovica. Çështja u shqyrtua në disa shkallë të gjyqësorit dhe Mujeci ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje. Në atë periudhë, një i afërm i tij u vetëdorëzua, pasi kishte pasur konflikt me viktimën një ditë para ngjarjes. Më pas, u arrestuan edhe dy vëllezër, përfshirë Kreshnikun, të cilët po ashtu mohuan akuzat.

Ndërkohë, policia vijon punën për mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve, duke mos përjashtuar asnjë pistë hetimore në këtë fazë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit