Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një familje shqiptare kërkon mbështetjen e të gjithëve për të shpëtuar jetën e nënës së tyre, që prej më shumë se një viti po lufton me një tumor agresiv.
Erjola Prifti, 47-vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve, po përballet me një betejë të vështirë për jetën. Në prill të vitit 2025, ajo u diagnostikua me tumor dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e ndjekur nga kimioterapi, radioterapi dhe brakiterapi. Për një moment dukej se gjendja e saj po stabilizohej, por vetëm pak muaj më vonë, sëmundja u rikthye sërish.
E vendosur për të mos u dorëzuar, Erjola udhëtoi drejt Turqisë për një trajtim më të specializuar, ku ka kryer seanca të shumta imunoterapie dhe kimioterapie. Megjithatë, sipas mjekëve, rruga është ende e gjatë: trajtimi pritet të zgjasë deri në dy vite dhe do të shoqërohet edhe me një ndërhyrje tjetër kirurgjikale.
Familja e saj ka përballuar çdo shpenzim deri më tani me forcat e veta, duke hyrë edhe në borxhe të mëdha. Por sot, ata pranojnë se nuk munden më vetëm.
Në mesazhin e dërguar në redaksi, vajza e saj shprehet se kjo betejë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë financiarisht dhe emocionalisht, ndërsa çdo shpresë tashmë lidhet me ndihmën e njerëzve me zemër të madhe.
Vetë Erjola, në një video mesazh, bën një thirrje për ndihmë drejtuar shqiptarëve:
“Do t’u isha mirënjohëse për një kontribut, sado i vogël qoftë. Faleminderit të gjithëve!”
Familjarët kanë hapur edhe një fushatë në GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme për trajtimin e saj jetik.
Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë diferencën për Erjolën, e cila ka vetëm një dëshirë: të jetojë pranë fëmijëve dhe nipit të saj.
JOQ Albania ju bën thirrje të gjithëve që kanë mundësi të kontribuojnë dhe të shpërndajnë këtë apel, në mënyrë që kjo nënë të mos e humbasë këtë betejë vetëm. 🙏