Qerimaj denoncon skandalin në Europian: Më hoqën medaljen padrejtësisht, federata heshti!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.04.2026, 19:26

Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, ka shpërthyer me akuza të forta pas përfundimit të Kampionatit Europian, duke denoncuar një padrejtësi të rëndë që sipas tij i ka kushtuar medaljen.

Në një reagim të dërguar për JOQ Albania, Qerimaj tregon se në stilin e shtytjes realizoi 184 kilogramë, një provë që u vlerësua fillimisht si e rregullt nga tre gjyqtarët me “3 të bardha”. Megjithatë, në mënyrë të papritur, juria vendosi ta anulonte ngritjen për një lëkundje minimale, duke përmbysur vendimin e gjyqtarëve në platformë.

Sipas sportistit, ky vendim jo vetëm që është i padrejtë, por bie ndesh edhe me vetë logjikën e garës, pasi me atë peshë ai do të siguronte medaljen e bronztë dhe do të hynte në garë reale edhe për argjendin apo arin, ku diferencat janë minimale dhe shpesh vendosen me 1 kilogram.

Edhe analiza e pamjeve të momentit të ngritjes përforcon pretendimin e tij. Në video shihen qartë tre dritat e bardha që konfirmojnë “Good Lift”, ndërsa teknika e ekzekutimit rezulton e pastër: pa “press-out”, me bllokim korrekt të krahëve dhe stabilizim të plotë para sinjalit të gjyqtarëve.

Por ajo që e rëndon edhe më shumë situatën, sipas Qerimajt, është heshtja totale e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

“Nuk pati asnjë reagim, asnjë protestë, asnjë qëndrim për të mbrojtur sportistin e tyre. Kjo nuk është thjesht papërgjegjshmëri, është dështim”, shprehet ai.

Ai ngre akuza të forta edhe për kushtet skandaloze në të cilat përfaqësohen sportistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar mungesën e uniformave dinjitoze, stafit mjekësor dhe fizioterapistëve, ndërkohë që fondet sipas tij ekzistojnë, por nuk ka transparencë për përdorimin e tyre.

“Kur marrim medalje, janë të parët për foto. Kur ndodh padrejtësia, zhduken. Sportistët nuk janë dekor”, thekson Qerimaj.

I pyetur nga redaksia e JOQ Albania nëse do ta ndjekë çështjen ligjërisht, ai konfirmoi se po shqyrton mundësinë për ta çuar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ku synon të kërkojë drejtësi për vendimin që i mohoi një medalje të merituar.

Ky rast ngre edhe një herë pikëpyetje të forta mbi mbrojtjen që institucionet shqiptare u bëjnë sportistëve të tyre, të cilët jo vetëm përballen me padrejtësi në arenën ndërkombëtare, por shpesh lihen të vetëm edhe nga vetë federatat që duhet t’i mbështesin.

Reagimi i plotë i Qerimajt:

Përshëndetje! Sapo përfundova garën në Kampionatin Europian dhe këtë herë ama do flas pa filtra! Në shkëputje realizova 152 kg dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184 kg – provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anullojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim – është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës. Por edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim. Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër. Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për “rrugën drejt Europës”? Kjo është skandaloze. Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve. STOP më me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të perfaqesimit Sportiv mbi supe. Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem, është turp.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit