SPAK akuza dy personave për dosjen e oksigjenit, Nikut të ‘Ndranghetës’ dhe të Veliajt po i vjen fundi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.04.2026, 14:50

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka intensifikuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 17, që ka të bëjë me një procedurë tenderuese mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmenit Besnik Halili, i cili është pronar i kompanisë "G.T.S – Gazra Teknike Shqiptare". Hetimet po fokusohen mbi dy tendera të fituar nga Halili dhe dy kompani të tij, "GTS – Gazra Teknike Shqiptare" dhe "Messer Albagaz", të cilat dyshohet se kanë trukuar procedurat dhe kanë përfituar pasuri të paligjshme. Sipas SPAK, dy tenderat janë zhvilluar përmes manipulimit të kritereve, në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, duke i mundësuar fitimin e kontratave për kompaninë e Halilit. Për këtë SPAK iu ka komunikuar akuzën dy personave të përfshirë

Tenderi i parë, me vlerë rreth 1 miliard e 992 milion lekë të vjetra, ka qenë për “Blerjen e barnave anestezi-reanimacion, antineoplastike dhe imunomoduluese”, dhe është ndarë në 33 lote me vlerë rreth 198.6 milion lekë pa TVSH. Tenderi i dytë, me vlerë rreth 1 miliard e 986 milion lekë, ka qenë për “B6 – Blerje barna për anestezi-reanimacion, organet e shqisave, psikiatri dhe sistemi kardiovaskular”, i ndarë në 35 lote me fond limit rreth 199.3 milion lekë pa TVSH. Të dy tenderat janë zhvilluar me skemën e marrëveshjes kuadër dhe kanë pasur një periudhë furnizimi prej 12 muajsh. Hetimet e SPAK-së po shqyrtojnë manipulimin e kritereve për të mundësuar fitimin e këtyre tenderave nga kompanitë e Besnik Halilit.

Për thellimin e hetimeve, më 20 maj 2024, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontroll në ambientet e kompanisë “GTS – Gazra Teknike Shqiptare” dhe kanë sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefona të 12 personave, përfshirë biznesmenin Besnik Halili, bashkëshorten e tij Luneda Sufali, vëllain Ergys Sufali, si dhe persona të tjerë të lidhur me kompaninë. Po ashtu, është raportuar se Besnik Halili ka dyshime lidhjeje me grupin kriminal italian "Ndrangheta" dhe është përmendur me nofkën "Niku". Ai dyshohet për ndikim në leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, duke marrë ryshfete, dhe ka pasur ndikim në tenderat për furnizimin e spitaleve me oksigjen, një tjetër procedurë e Ministrisë së Shëndetësisë. Hetimet janë ende në zhvillim, dhe SPAK po punon për zbardhjen e plotë të skemës korruptive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit