Edhe pse e diela s’ka mbaruar, kjo fundjavë deri më tani rezulton tragjike për sigurinë rrugore në vend, duke regjistruar gjithsej 5 viktima në disa aksidente të ndodhura brenda pak orësh.
Ngjarja më e rëndë u shënua në fshatin Gocaj të Lezhës, ku një automjet përfundoi në kanal, duke shkaktuar vdekjen e babë e bijë. Viktimat janë Anton Keçi, 54 vjeç, mjek, dhe vajza e tij Bora Keçi, 19 vjeçe, studente e mjekësisë. Dyshohet se ata po ktheheshin nga puna e tyre me kohë të pjesshme në Kampin e Refugjatëve në Gjadër kur ndodhi aksidenti. Sipas hetimeve paraprake, automjeti mund të ketë dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit, ndërsa drejtimin e kishte vajza 19-vjeçare.
Një tjetër aksident me pasojë fatale ndodhi mbrëmjen e së shtunës në aksin Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Labinot, ku një automjet i drejtuar nga një 45-vjeçar doli nga rruga. Drejtuesi humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij u plagos.
Po ashtu, të premten janë regjistruar edhe dy viktima të tjera. Në aksin Elbasan–Cërrik, një 28-vjeçar ndërroi jetë pas një përplasjeje të fortë mes automjetit të tij dhe një mjeti tjetër.
Ndërkohë, në rrugën Fushë Krujë–Milot, një tjetër aksident i rëndë i mori jetën pasagjeres që ndodhej në një automjet që u dëmtua rëndë nga përplasja.
Policia rrugore ka apeluar për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, respektim të rregullave të qarkullimit dhe kufizimeve të shpejtësisë, duke theksuar se shpejtësia e lartë mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja fatale.