Një shqiptar në Adelaide, Australi, është cilësuar hero pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar një fqinj që as nuk e njihte, gjatë një zjarri të fuqishëm në një shtëpi.
Ngjarja ndodhi herët në mëngjes, rreth orës 6:20, kur një shtëpi u përfshi nga flakët dhe tymi i dendur. Dritan Lucaj pa se fqinji i tij kishte dalë fillimisht nga shtëpia, por më pas ishte futur sërish brenda dhe nuk po dilte më.
Pa hezitim, ai vendosi të ndërhynte.
Lucaj hyri në shtëpinë që po digjej nga pjesa e pasme, në kushte shumë të rrezikshme për shkak të tymit të dendur dhe flakëve që përhapeshin me shpejtësi. Brenda, ai e gjeti burrin pa ndjenja, vetëm pak metra larg derës.
Ai arriti ta tërhiqte jashtë në momentet e fundit, pak para se të mbërrinin zjarrfikësit.
Sipas autoriteteve, veprimi i tij ishte vendimtar pasi nëse nuk do të kishte ndërhyrë, burri me shumë gjasë do të kishte humbur jetën.
Zjarrfikësit arritën ta vinin situatën nën kontroll brenda rreth 10 minutash, por shtëpia pësoi dëme të mëdha.
Lucaj vetë pësoi vetëm dëmtime të lehta nga tymi dhe nuk pati lëndime serioze.
Ai u vlerësua gjerësisht për guximin dhe reagimin e shpejtë, duke u konsideruar si një shembull i rrallë i ndihmës ndaj të tjerëve, edhe kur bëhet fjalë për dikë që nuk e njeh pasi ai para pak muajsh ishte zhvendosur nga Italia në Australi.