Një incident i armatosur ka ndodhur në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, ku një person i armatosur me disa lloje armësh ka qëlluar me armë dhe është neutralizuar nga forcat e sigurisë përpara se të hynte në sallën e eventit.
Autori i të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ishte i armatosur me disa armë, përfshirë një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Këtë e bëri të ditur shefi i përkohshëm i Policisë së Uashingtonit, Jeffrey W. Carroll.
I dyshuari është identifikuar si Cole Allen, 31 vjeç, mësues nga Torrance, Kaliforni. Sipas raportimeve të New York Post, ai dyshohet se kishte dalë nga një “dhomë e improvizuar” pranë hyrjes së sallës, në një zonë ku mungonte siguria dhe ku mbaheshin karrocat e barit.
Një dëshmitar, vullnetar në aktivitet, ka treguar se Allen kishte marrë një armë nga një çantë, duke shtuar se ajo ishte e gjatë dhe nuk dukej si një armë tipike.
Ngjarja ndodhi në hotelin Hilton Washington, ku po mbahej darka dhe ku ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Sipas mediave amerikane, i dyshuari u pa duke vrapuar drejt sallës së eventit përpara se të ndalohej nga forcat e sigurisë. Ai besohet se ishte gjithashtu mysafir në hotel.
Autoritetet në Washington DC bëjnë me dije se Allen ndodhet aktualisht në një spital lokal, nën mbikëqyrjen e policisë, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Todd Blanche, deklaroi se ndaj tij pritet të ngrihen akuza shumë shpejt.
Po ashtu, një agjent i Shërbimit Sekret që mbeti i plagosur gjatë incidentit është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.