Një qytetar nga Tiranë ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një video shqetësuese, ku tregon se sa lehtësisht mund të fshihet data e skadencës nga një pako patatinash Lays.
Sipas denoncuesit, produkti është blerë në një dyqan në kryeqytet dhe në momentin që ai ka provuar të fërkojë me gishta pjesën ku ishte e stampuar data e skadencës, ajo është zbehur dhe pothuajse është zhdukur.
Qytetari shprehet i habitur nga kjo situatë dhe ngre shqetësimin se i njëjti fenomen është i mundur edhe në produkte të tjera të ngjashme, ku sipas tij, mjafton një fërkim i lehtë që data të bëhet e palexueshme.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze për mënyrën e stampimit të datave të skadencës në produkte ushqimore, pasi këto informacione janë thelbësore për sigurinë e konsumatorit. Nëse data mund të fshihet kaq lehtë, krijohet hapësirë për abuzime të mundshme, sidomos në rastet kur produktet mund të jenë jashtë afatit të përdorimit.
Mbetet për t’u sqaruar nëse kemi të bëjmë me një problem teknik të paketimit apo me një fenomen më të përhapur në treg. JOQ Albania ju bën thirrje autoriteteve përkatëse që të verifikojnë rastin dhe të japin një përgjigje për këtë shqetësim.
Ndërkohë, qytetari e përmbyll denoncimin e tij me një pyetje të drejtpërdrejtë: “A është normale që data e skadencës të fshihet vetëm duke e fërkuar me gisht?”