Boshatiset qendra tregtare në qendër të Tiranës pas alarmit për bombë, policia: S’u gjet asgjë e dyshimtë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.04.2026, 21:57

Një alarm për bombë ka shkaktuar panik mbrëmjen e sotme në një qendër tregtare në Tiranë, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me urgjencë dhe të evakuojnë ambientet.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:10, përgjegjësi i sigurisë së qendrës ka njoftuar sallën operative pasi kishte marrë një email kërcënues. Në mesazh pretendohej se brenda godinës ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila do të shpërthente rreth orës 20:30.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policia e Shtetit, së bashku me Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontrolle të detajuara në të gjithë perimetrin e objektit.

Për arsye sigurie, qendra është boshatisur nga klientët dhe stafi, ndërsa kontrollet janë shtrirë në çdo hapësirë për të verifikuar seriozitetin e kërcënimit.

Pas përfundimit të verifikimeve, autoritetet kanë konfirmuar se nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes apo element i paligjshëm, duke e cilësuar alarmin si të rremë.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e personit që ka dërguar mesazhin kërcënues dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit