Një rast vjedhjeje është denoncuar nga pronarja e një biznesi veshjesh në Tiranë, e cila ka dërguar edhe pamjet filmike ku dokumentohet momenti i ngjarjes.
Sipas saj, një grua bionde është afruar pranë dyqanit, ku disa fustane ishin të ekspozuara në ambientet e jashtme, dhe ka marrë një prej tyre pa asnjë hezitim. Në video shihet qartë se ajo e merr fustanin sikur të ishte i saj dhe largohet ngadalë, pa u shqetësuar aspak.
Ajo që e bën edhe më të pazakontë rastin, sipas denoncueses, është fakti se gruaja dyshohet se kishte zbritur nga një automjet tip Mercedes-Benz ML me ngjyrë të bardhë, të cilin e kishte parkuar disa metra më larg.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Rruga Hoxha Tahsin.
Në mesazhin e saj, qytetarja shkruan:
“Një hajdute parkoi disa metra larg dyqanit ML e bardhë dhe vodhi fustanin. Iku serbes-serbes sikur te mos kishte ndodhur asgjë.”
Pamjet e siguruara nga kamera e sigurisë tregojnë qartë gjithë skenën, nga momenti kur gruaja afrohet te biznesi, merr fustanin dhe largohet qetësisht, pa piken e shqetësimit.