Spostimi i linjave për hekurudhën e re, OSSH “fal” 540 milionë lekë te Hamz Islamaj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.04.2026, 19:50

Një tjetër procedurë e dyshimtë prokurimi ka vënë në qendër të vëmendjes Drejtorinë Rajonale të OSSH Tiranë, e cila operon nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-79126-03-12-2026, që ka si objekt spostimin e linjave elektrike për shkak të punimeve në linjën hekurudhore Durrës-Tiranë dhe lidhjen e re me Aeroportin e Rinasit (TIA).

Ajo që bie menjëherë në sy në dokumentacionin e këtij tenderi është mungesa totale e konkurrencës. Pavarësisht vlerës së madhe dhe rëndësisë strategjike të projektit, në garë ka marrë pjesë vetëm një firmë: BE-IS SH.P.K, në pronësi të biznesmenit Hamz Islamaj.

Në mungesë të ofertave të tjera, kjo kompani është shpallur automatikisht fituese me vlerën 45,111,766.00 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 540 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH-në. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë matematike, rezulton se oferta fituese mbulon rreth 98.3% të fondit limit, i cili ishte 45,889,822.30 lekë të reja pa TVSH. Kjo përqindje kaq e lartë, e kombinuar me faktin se nuk pati asnjë rival tjetër, ngre dyshime të forta për një fitues të paracaktuar dhe një garë formale, ku vlera e kontratës i afrohet maksimalisht tavanit të lejuar.

Hamz Islamaj nuk është një emër i panjohur për botën e prokurimeve publike. Sipas të dhënave të hulumtuara, ai konsiderohet si një nga "klientët" e preferuar të institucioneve shtetërore, duke u renditur shpesh në listën e kontraktorëve më të mëdhenj të qeverisë. Emri i tij është lakuar në media për marrjen e kontratave me vlera miliona euro në infrastrukturë dhe rindërtim, shpesh nën hije dyshimi për lidhje të forta me zyrtarë të lartë që i sigurojnë rrugë të lirë drejt parave publike.

Ky rast i fundit me OSSH-në, ku shuma prej gjysmë miliardë lekësh jepet pa asnjë tentativë për kursim apo konkurrencë reale, shton listën e tenderave që pritet të kalojnë nën lupën e organeve kontrolluese, ndërsa pyetja mbetet: Pse asnjë kompani tjetër nuk guxoi apo nuk u lejua të konkurronte për këtë projekt?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit