Tre persona, mes tyre edhe një grua, kanë rënë në pranga pas një operacioni antidrogë në San Donà di Piave, pranë Venecias, ku autoritetet goditën një rrjet të dyshuar shqiptar të shpërndarjes së kokainës.
Aksioni erdhi pas një periudhe vëzhgimi të një apartamenti në Via Vizzotto, ku policia kishte konstatuar lëvizje të dyshimta dhe hyrje-dalje të shpejta, që zgjatnin vetëm pak sekonda.
“Vizitat e shkurtra dhe fluksi i vazhdueshëm i personave në apartament ishin tregues të qartë të një aktiviteti të organizuar të shpërndarjes së drogës”, bëjnë të ditur burime nga hetimi.
Pas identifikimit të disa përdoruesve dhe verifikimit të targave, policia ndërhyri gjatë një transaksioni droge, duke arrestuar në flagrancë personin e dyshuar kryesor.
Gjatë kontrollit në banesë, ku ndodheshin një shtetas shqiptar rreth të 40-ave dhe partnerja e tij, u sekuestruan 70 gramë kokainë me pastërti 98%, si dhe rreth 2,200 euro cash. Operacioni u mbështet edhe nga njësia e qenve antidrogë.
Sipas hetimeve paraprake, rrjeti dyshohet të ketë qenë i strukturuar mirë dhe të gjeneronte deri në 5,000 euro në ditë nga aktiviteti i paligjshëm.
I dyshuari kryesor është dërguar në burgun e Venecias, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.