Kthesa rezultoi fatale për Jotën, çfarë zbuloi hetimi për aksidentin tragjik

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.04.2026, 16:45

Çështja e aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, Andre Silva, është mbyllur në aspektin penal nga autoritetet spanjolle, pa konstatuar përgjegjësi penale për asnjë palë të përfshirë.

Gjykata e provincës së Zamorës, në veriperëndim të Spanjës, bëri të ditur se aksidenti i ndodhur më 3 korrik 2025 në autostradën A-52, pranë Cernadilla, është shkaktuar nga shpërthimi i një gome të automjetit.

Sipas të dhënave zyrtare, automjeti luksoz “Lamborghini”, i drejtuar nga Diogo Jota, ka dalë nga rruga gjatë një manovre parakalimi, më pas është përplasur me ndarësen e rrugës dhe ka shpërthyer në flakë, duke rezultuar fatal për dy vëllezërit.

Pas analizës së provave dhe ekspertizave të specializuara për aksidentet rrugore, Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Castilla y León vendosi të mos nisë ndjekje penale, duke e mbyllur hetimin në muajin nëntor pa elementë të neglizhencës kriminale apo përgjegjësisë së palëve të treta.

Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se mbyllja e çështjes penale nuk përjashton rrugën civile, duke lënë të hapur mundësinë që familjarët të kërkojnë dëmshpërblim përmes padive përkatëse.

Dy vëllezërit po udhëtonin drejt Santander, nga ku planifikonin të merrnin një traget për në Mbretërinë e Bashkuar. Diogo Jota pritej të bashkohej me Liverpool për përgatitjet parasezonale, ndërsa sipas raportimeve, kishte zgjedhur të mos fluturonte për shkak të një ndërhyrjeje të fundit në mushkëri.

Ngjarja ndodhi vetëm 11 ditë pas martesës së Diogo Jota me partneren e tij, Rute Cardoso, në Porto. Ceremonia mortore e dy vëllezërve u zhvillua në Gondomar, me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve dhe pjesëtarëve të Liverpool.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit