Bllokohet për shkak të borxheve ndërtesa e madhe e misterioze “Amadeus Palace”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.04.2026, 16:17

Prej shumë vitesh, në Qafën e Kasharit në Tiranë, në aksin që lidh kryeqytetin me aeroportin dhe jugun e vendit, qëndron një ndërtesë e madhe me stil “perandorak”, e njohur si “Amadeus Palace”. Objekti, i ndërtuar si një investim i kushtueshëm, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e qytetarëve për shkak të pamjes së tij madhështore, por edhe faktit se nuk është vënë asnjëherë në funksion të plotë, duke mbetur prej vitesh një strukturë e pazakontë në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

Së fundmi, “Amadeus Palace” është përfshirë në një proces bllokimi pas një vendimi përmbarimor, të lidhur me detyrime financiare të papaguara ndaj kompanisë nënkontraktore “Euro Beton 2005”. Sipas të dhënave, borxhi i papaguar, në vlerën rreth 1.5 milionë lekë të reja, daton që prej vitit 2023 dhe ka çuar në nisjen e procedurave gjyqësore në janar 2026, kur Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit. Më pas, përmbaruesi gjyqësor ka vendosur bllokimin e aksioneve të shoqërisë “Amadeus Palace” shpk, pasi detyrimi nuk është shlyer vullnetarisht brenda afateve ligjore.

Sipas të dhënave të biznesit, pronësia e kompanisë lidhet me bashkëshortët Besim Elshani dhe Elisabeta Gjoni (Elshani), të cilët kanë qenë të përfshirë në struktura të ndryshme shoqërore ndër vite, përfshirë “Amadeus Group”, “Amadeus Palace” dhe “I.F.C” në Shqipëri, Kosovë dhe Francë. Ndryshimet e aksioneve ndër vite kanë ruajtur në thelb të njëjtët pronarë fundorë, ndërsa në vitin 2022 subjekti ka pezulluar aktivitetin në QKB. Aktualisht, ndërtesa mbetet e bllokuar dhe pa aktivitet, ndërsa çështja e detyrimeve dhe statusit të saj ligjor vijon të mbetet nën procedura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit