Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku sërish në qendër të diskutimit ishte protesta e paralajmëruar për 8 maj dhe strategjia e radhës e opozitës përballë qeverisë Rama.
“Kjo është vija e kuqe” – tha Berisha, duke kërkuar me çdo kusht largimin e Edi Ramës nga pushteti. “Krimi nuk lejon rrotacionin e pushtetit” – shtoi ai, duke e përshkruar situatën politike si një skenar ku, sipas tij, loja është e kontrolluar dhe rezultatet pengohen nga faktorë të jashtëm.
Berisha u ndal edhe te procesi i brendshëm zgjedhor në Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryetarit, duke e paraqitur si garë të hapur, por me një “detaj të vogël” që e theksoi vetë: “Në PD ka garë në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë, por ka një kusht, Edi Rama nuk do të mund të përcaktojë kryetarin e kësaj partie dhe çdo demokrat është i mirëpritur në garë dhe po bëhet shumë punë për hapësira për të rinjtë, por kryetarin do ta caktojnë demokratët me votë” – tha ai.
Në këtë mënyrë, PD vazhdon paralelisht dy linja: një garë të brendshme që sipas deklaratave është “plotësisht e hapur”, dhe një betejë politike të jashtme ku, të paktën në retorikë, gjithçka tjetër duket se është e paracaktuar, përveç votës, sigurisht.