Një konflikt i nisur për motive të dobëta në Memaliaj është shndërruar brenda pak minutash në një ngjarje të rëndë me armë zjarri, ku mbeti i vdekur 30-vjeçari Endri Goxhaj dhe u plagos rëndë Dali Nela.
Sipas hetimeve dhe pamjeve të sekuestruara, gjithçka ka filluar si një debat mes dy personave, por situata është përshkallëzuar shpejt me ndërhyrjen e të tjerëve të pranishëm. Në kulmin e konfliktit, Goxhaj dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të Dali Nelës, duke e lënë të plagosur rëndë.
Në atë moment, ngjarja ka marrë kthesë të menjëhershme. Teksa Nela ka rënë në tokë, vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjoldo Nela, që ndodheshin pranë, kanë reaguar duke nxjerrë armët dhe duke qëlluar në drejtim të Goxhajt, i cili ka humbur jetën në vend.
Pas të shtënave, dy vëllezërit kanë marrë të plagosurin dhe e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës, për t’u larguar më pas në drejtim të paditur, ku vijojnë të jenë në kërkim nga policia.
Për këtë ngjarje, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Aldo Kalemin dhe Dali Nelën, si dhe të njëjtën masë për Ermal Matajn, i dyshuar për fshehjen e armës së krimit. Vendimi ka ngjallur diskutime, duke pasur parasysh rëndësinë dhe pasojat e ngjarjes.