Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se, bazuar në informacione operative të siguruara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), është urdhëruar transferimi i një të dënuari me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel. Masa është marrë për arsye sigurie dhe është miratuar nga drejtori i përgjithshëm, Adriatik Kupi.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në momentin e pranimit në institucionin e ri, në IEVP Burrel, në sendet personale të të dënuarit është konstatuar një sasi e vogël e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur brenda një çorapeje. Zbulimi është bërë nga personeli i sigurisë gjatë procedurave standarde të kontrollit.
Menjëherë pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse. Rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi për verifikimin dhe hetimin e plotë të ngjarjes.