Vrasja e Endri Goxhajt, gjykata e Gjirokastrës liron dy të përfshirët

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.04.2026, 13:37

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Aldo Kalemin dhe Dali Nelën, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, ngjarje e ndodhur më 21 prill – një vendim që në praktikë i nxjerr ata nga qelia vetëm pak ditë pas krimit.

Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila pranoi kërkesën e prokurores Aulona Haxhiraj, pavarësisht akuzave të rënda që rëndojnë mbi dy të dyshuarit: “vrasje në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Në seancë ishte i pranishëm Aldo Kalemi, ndërsa Dali Nela u përfaqësua nga avokati, pasi vijon të jetë i shtruar në spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër, si pasojë e plagëve të marra. Seanca nisi me vonesë për shkak të mungesës fillestare të trupës gjykuese dhe prokurores.

Sipas prokurorisë, ngjarja nisi si një konflikt mes disa personave dhe përfundoi në përdorim armësh zjarri, duke lënë pas një viktimë. Hetimet janë mbështetur edhe në pamje të sekuestruara, ndërsa në vendngjarje janë gjetur armë, municion, automjete dhe telefona celularë, prova që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, dy persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjithë të përfshirët. Por për momentin, dy nga emrat kryesorë të kësaj çështjeje do ta ndjekin hetimin nga shtëpia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit