Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë me një shqetësim serioz lidhur me ndërhyrjet në vijën bregdetare, duke denoncuar një ndërtim të pazakontë në zonën e Radhimës.
Ajo ka dërguar një video nga vendi ku, sipas saj, prej vitesh kalon pushimet verore. Por këtë sezon, panorama ka ndryshuar ndjeshëm. Në pamjet e siguruara, duket një kantier ndërtimi që, sipas denoncueses, po avancon drejt detit, deri në pikën që “po ndërtohet brenda në ujë”.
“Vij çdo vit këtu dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Tani po ndërtohet në det, pa asnjë kufi. Kjo nuk është më normale”, shprehet ajo, duke ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes.
Rasti ngre pikëpyetje të forta: A ka leje për një ndërtim të tillë? Kush e ka miratuar? Dhe mbi të gjitha, kush po e kontrollon shkatërrimin e vijës bregdetare?
Ndërkohë që bregdeti shqiptar po përballet prej vitesh me presionin e ndërtimeve, raste të tilla shtojnë dyshimet për mungesë kontrolli dhe standardesh. Kur betoni futet në det, nuk është vetëm peizazhi që dëmtohet, por një pasuri publike që po tjetërsohet para syve të të gjithëve.