Një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar përmes call center-ave është zbuluar në Tiranë, ku një apartament në rrugën “Sulejman Delvina” ishte kthyer në bazë për skema fiktive investimi. Në pranga ranë dy administratorët, Argest Rushi (44 vjeç) dhe Leonard Maksutaj (26 vjeç), ndërsa 12 operatorë që ushtronin aktivitetin u proceduan në gjendje të lirë. Sipas të dhënave, ata synonin shtetas të huaj duke i bindur të investonin në bursa të rreme.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti ishte marrë me qira dhe ishte pajisur me infrastrukturë të plotë për funksionimin e call center-it. Gjatë kontrollit u sekuestruan 19 njësi kompjuterike, 2 telefona celularë dhe 1 DVR, që dyshohet se përdoreshin për komunikim dhe menaxhim të skemës mashtruese. Operatorët kontaktonin viktimat përmes telefonatave dhe platformave online, duke u premtuar fitime të shpejta dhe të sigurta.
Rasti nxjerr sërish në pah përmasat e këtij fenomeni, ku grupe të organizuara përdorin teknologjinë për të zhvilluar mashtrime financiare ndërkombëtare. Hetimet janë ende në vijim për të zbuluar rrjetin e plotë, shumën e përfituar dhe numrin e personave të dëmtuar nga kjo veprimtari.