Një banesë në lagjen 10 të qytetit të Korçës është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur nga një shkëndijë elektrike në kondicioner dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve pas një ndërhyrjeje të shpejtë. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale në banesë, por fatmirësisht familja ka arritur të dalë në kohë pa pësuar lëndime.
Ndërkohë, policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Autoritetet konfirmojnë se situata tashmë është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat përreth.