Gjykata e Lartë i ka dhënë fund betejës së gjatë ligjore të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kundër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përmes një vendimi përfundimtar, trupa gjykuese ka vendosur të rrëzojë rekursin e paraqitur nga qeveria, duke lënë në fuqi vendimet e shkallëve të mëparshme që i jepnin të drejtë ish-kryepolicit. Ky vendim vulos zyrtarisht faktin se largimi i tij nga detyra ishte i paligjshëm, duke detyruar shtetin shqiptar që t’i paguajë atij dëmshpërblimin përkatës financiar.
Konflikti nisi në gusht të vitit 2022, kur kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Blendi Çuçi, firmosën shkarkimin e Gledis Nanos vetëm 11 muaj pasi ai kishte marrë drejtimin e uniformave blu.

Qeveria pretendoi në atë kohë se objektivat e vendosura nuk ishin përmbushur, por Nano e konsideroi këtë lëvizje si një akt të pabazuar në ligj dhe vendosi ta kërkonte të drejtën e tij në rrugë gjyqësore. Gjatë gjithë procesit, ai argumentoi se mandati i tij pesëvjeçar u ndërpre pa asnjë shkelje procedurale apo profesionale që do të justifikonte një masë të tillë ekstreme.
Në thelb të kësaj çështjeje ishte kërkesa e Nanos për shfuqizimin e vendimit numër 580 të Këshillit të Ministrave, si dhe kërkesa për t’u trajtuar me pagë të plotë deri në përfundimin e mandatit të rregullt ligjor.
Tashmë që Gjykata e Lartë ka folur, shteti nuk ka më asnjë hapësirë manovrimi dhe është i detyruar të përballet me faturën financiare të këtij shkarkimi. Përveç dëmshpërblimit monetar, vendimi i gjykatës parashikon gjithashtu detyrimin e institucioneve për ta sistemuar Nanon në struktura të tjera të Policisë së Shtetit ose në funksione të ngjashme, duke i njohur atij gradën dhe kontributin profesional që iu ndërpre në mënyrë të padrejtë.