Miliarda në dorë të Ministrit: Projektligji “skandaloz” që shmang tenderat për Fondin e Mjedisit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.04.2026, 20:41

Një nismë e re ligjore e propozuar nga Ministria e Mjedisit po ngre pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe menaxhimin e parave të taksapaguesve shqiptarë. Drafti i hedhur për konsultim publik parashikon krijimin e një Fondi Kombëtar për Mjedisin, i cili synon të financojë projekte private që vlerësohen si miqësore me natyrën.

Ky fond, i cili do të ushqehet direkt nga buxheti i shtetit dhe financime të huaja, prezantohet si një mekanizëm mbështetës për politikat ekologjike, por fsheh në brendësi një klauzolë që praktikisht pezullon rregullat e shtetit ligjor mbi kontrollin e shpenzimeve.

Pika më alarmante e këtij projektligji është saktësimi se ky fond nuk do t’i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik, duke i hapur rrugën shpërndarjes së miliarda lekëve pa asnjë garë apo tender.

Kjo do të thotë se paratë publike do të shpenzohen sipas diskrecionit të plotë të ministrit, duke e shndërruar këtë strukturë në një "xhep ekstrabuxhetor" që nuk njeh kufizimet e zakonshme ligjore. Në kushtet kur skema e financimit mbulon deri në 100 për qind të kostove të projekteve për persona fizikë apo juridikë, rreziku i favorizimeve subjektive mbetet ekstremisht i lartë.

Sipas procedurës së parashikuar në dokument, është vetë ministri përgjegjës ai që do të ketë fjalën e fundit për miratimin e projekteve të paraqitura nga privati. Ndonëse ligji përmend një "kolegjium" prej pesë nëpunësish që do të bëjnë propozimet, këta të fundit emërohen dhe varen direkt nga urdhri i ministrit, duke krijuar një zinxhir vendimmarrjeje të mbyllur dhe të kontrolluar totalisht nga një individ i vetëm.

Ky mekanizëm i jep ministrit Sofjan Japuaj fuqinë të shpërndajë fonde kolosale tek bizneset që ai përzgjedh vetë, duke krijuar një shteg gjigand për abuzime dhe duke goditur rëndë disiplinën buxhetore që mbron interesin e publikut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit