Gjashtë shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe pasi u zbuluan si pjesë e një rrjeti të organizuar për kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë, me një vlerë që kalon 3 milionë paund.
Bëhet fjalë për shtetasit Armand Hysa, Klevis Hysa, Kosta Dumani, Selman Hysa, Admir Cerpja dhe Klodian Bofja, të cilët pranuan fajësinë për menaxhimin e pesë “fermave” të kanabisit në zonën e West Yorkshire.
Sipas gjykatës në Leeds Crown Court, grupi kishte ndarë rolet në mënyrë të organizuar, ku Armand dhe xhaxhai i tij Selman Hysa drejtonin aktivitetin kryesor, duke siguruar furnizimin dhe shitjen e drogës.
Gjatë operacioneve policore në disa prona, biznese dhe ambiente banimi, u zbuluan ambiente të pajisura plotësisht për kultivim, me qindra bimë kanabisi, sisteme ndriçimi, ventilimi dhe pajisje të sofistikuara.
Në një nga goditjet më të mëdha, policia gjeti rreth 250 kg kanabis me vlerë deri në 2.5 milionë paund në treg. Në një tjetër ambient u zbuluan 983 bimë, ndërsa në disa raste u sekuestruan edhe dhjetëra kilogramë drogë e paketuar gati për shitje.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu para cash, ora luksi dhe automjete të shtrenjta si Range Rover, Porsche dhe Mercedes G-Wagon, që sipas prokurorisë tregonin fitime të konsiderueshme nga aktiviteti kriminal, raporton BBC.
Gjykata theksoi se Selman Hysa kishte një rol kyç në këtë rrjet dhe kishte qenë në kontakt me pronarët e objekteve ku zhvillohej aktiviteti. Ndërsa nipi i tij, Armand Hysa, konsiderohej një nga personat kryesorë në organizim.
Sa i përket dënimeve, Selman Hysa mori dënimin më të rëndë me 39 muaj burg, i ndjekur nga Armand Hysa me 32 muaj dhe Klevis Hysa me 27 muaj. Ndërsa Kosta Dumani u dënua me 24 muaj, Admir Cerpja me 23.5 muaj dhe Klodian Bofja me 8 muaj burg.
Autoritetet britanike vijojnë të godasin rrjetet e kultivimit të kanabisit, të cilat shpesh operojnë në ambiente të fshehura dhe me struktura të mirëorganizuara kriminale.

