Netanyahu zbulon se u trajtua për kancer prostate: Falë Zotit, jam shëruar plotësisht!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.04.2026, 17:58

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë publike se ka kaluar një trajtim për kancer prostate në fazë të hershme, një informacion që nuk ishte bërë i ditur më parë.

Lajmi u publikua në raportin e tij vjetor mjekësor, ndërsa vetë Netanyahu sqaroi se tumori i vogël u zbulua gjatë një kontrolli rutinë dhe u trajtua me sukses përmes terapisë me rrezatim.

"Pata një problem të vogël mjekësor me prostatën që u trajtua plotësisht. Falë Zotit, e kam kaluar", tha ai.

76-vjeçari deklaroi se kishte kërkuar që publikimi i këtij informacioni të shtyhej me rreth dy muaj, në mënyrë që të mos përkonte me kulmin e konfliktit me Iranin, duke shmangur, sipas tij, “propagandën e rreme kundër Izraelit”.

Sipas raportit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe sëmundja është kapur në fazë të hershme. Mjekët theksojnë se raste të tilla janë të zakonshme për moshën e tij dhe, bazuar në analizat dhe ekzaminimet, sëmundja konsiderohet e zhdukur.

Më herët, gjatë vitit 2024, Netanyahu kishte kryer një ndërhyrje për zmadhim beninj të prostatës dhe që prej asaj kohe ishte nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Shëndeti i tij kishte qenë objekt spekulimesh edhe më herët, sidomos gjatë tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme, ku qarkulluan edhe imazhe të rreme të gjeneruara me inteligjencë artificiale që pretendonin se ai kishte ndërruar jetë.

Për t’i hedhur poshtë këto pretendime, Netanyahu publikoi edhe një video nga një kafe në Jerusalem, duke treguar se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit