Një aksident i rëndë është raportuar pasditen e sotme në segmentin rrugor Fushë Krujë–Thumanë, duke shkaktuar panik te kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që ndodheshin në zonë.
Sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, në aksident është përfshirë të paktën një automjet me ngjyrë të bardhë, i cili, siç shihet edhe në pamjet e siguruara, është ndarë pothuajse në dy pjesë si pasojë e përplasjes së fortë.
Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se dyshohet për persona të lënduar rëndë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima, megjithëse një informacion i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Një qytetar që ka kaluar në momentet e para pas aksidentit tregon se ka parë një grua të shtrirë në tokë dhe të gjakosur, çka e bën edhe më të rëndë situatën e raportuar.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitar shprehet se në automjetin e bardhë ndodhej një person i bllokuar brenda, ndërsa mjeti ishte shkatërruar pothuajse plotësisht. Sipas tij, në vendngjarje kanë mbërritur të paktën dy ambulanca për t’i ardhur në ndihmë të lënduarve.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar mbi shkaqet e aksidentit apo gjendjen e personave të përfshirë, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.
JOQ Albania do t’ju mbajë të përditësuar me çdo informacion të ri mbi këtë ngjarje të rëndë.