Burgim i përjetshëm për dy terroristët e Banjskës, 30 vite burg për të tretin

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.04.2026, 15:41

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin dënues ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke shqiptuar dënime maksimale.

Trupi gjykues i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për vepra që lidhen me terrorizmin dhe rrënimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka qenë e prerë në vendimin e saj, duke shqiptuar këto dënime për tre pjesëtarët e grupit: Blagoje Spasojeviq, u dënua me burgim të përjetshëm, Vladimir Toliq, u dënua po ashtu me burgim të përjetshëm dhe Dushan Maksimoviq, u dënua me 30 vite burgim.

Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Ky vendim vjen pas një procesi maratonik gjyqësor, ku Prokuroria Speciale ka paraqitur prova mbi përfshirjen e këtyre personave në sulmin e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit