SPAK kërkon rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ndërsa procesi has pengesa proceduriale, pasi gjykata nuk ka arritur t’i komunikojë rekursin. Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, shërbimi postar e ka kthyer dëftesën me shënimin “Larguar”, duke detyruar institucionin të përdorë shpalljen publike si mjet njoftimi.
Rekursi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) u dorëzua më 10 prill 2026, pas vendimit të Apelit që la në fuqi lirimin para kohe të Kokës për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Prokuroria këmbëngul se lirimi është i gabuar, ndërsa gjykatat janë mbështetur në një interpretim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë mbi llogaritjen e kohës së qëndrimit në qeli.
Ish-ministri është përballur me tre procese për aferën e inceneratorëve dhe është dënuar me vendime jo-përfundimtare për rastet e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Pavarësisht dënimeve, gjykatat kanë vlerësuar se ai ka tejkaluar kohën maksimale të paraburgimit, çka solli lirimin e tij një vendim që tashmë pritet të rishqyrtohet pas rekursit të SPAK.
