Një ngjarje e rëndë dhe thellësisht tronditëse abuzimi me kafshët është denoncuar së fundmi në redaksinë tonë, duke ngritur alarmin për një fenomen që po përhapet me shpejtësi dhe po tërheq një audiencë shqetësuese në rrjetet sociale.
Sipas denoncimit, një faqe me emrin “marakat07” publikon në mënyrë të vazhdueshme video ku qen të pambrojtur detyrohen të përfshihen në dyluftime brutale, vetëm për të gjeneruar klikime, ndjekës dhe përfitime nga dhuna.
Pamjet janë ekstremisht të rënda, qen të plagosur, të gjakosur, të terrorizuar, të detyruar të luftojnë deri në rraskapitje për “argëtimin” e publikut. Dyshohet se këto përleshje janë të organizuara me qëllim, ndërsa skenat më të dhunshme fshihen me kujdes brenda videove për të rritur shikueshmërinë deri në fund, një taktikë cinike që e kthen dhunën në spektakël.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se këto video po ndiqen nga një numër i madh personash, duke normalizuar dhunën dhe duke e kthyer mizorinë në përmbajtjen në “trend”. Çdo klikim, çdo ndjekje dhe çdo shpërndarje kontribuon drejtpërdrejt në vazhdimin e këtij abuzimi barbar.
Kjo nuk është thjesht një shkelje është një krim i pastër dhe një formë torture ndaj kafshëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rrethanë. Heshtja dhe indiferenca vetëm sa e fuqizojnë këtë fenomen.
JOQ Albania u bën thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse që të reagojnë menjëherë, të identifikojnë autorët dhe të ndalin këtë aktivitet të neveritshëm që po zhvillohet hapur para syve të publikut.
Apelohet gjithashtu ndaj çdo qytetari, të mos bëhen pjesë e këtij zinxhiri dhune. Denonconi, raportoni dhe refuzoni ti shikoni përmbajtje të tilla. Sepse ajo që po ndodh nuk është thjesht një video, është një masakër e vazhdueshme, e heshtur, që po ushqehet nga vëmendja e publikut dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.