Një plagosje me thikë është regjistruar në Pazarin e Vjetër të Korçës, ku në konflikt janë përfshirë katër persona, mes tyre edhe dy pronarë lokalesh. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për dy vëllezër që janë përplasur me dy vëllezër të tjerë, fillimisht me debate verbale, të cilat më pas kanë degjeneruar në dhunë fizike duke përdorur karriget e lokaleve.
Gjatë përshkallëzimit të konfliktit, njëri prej personave ka marrë një thikë dhe ka plagosur në këmbë një nga të përfshirët, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy persona të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta si pasojë e goditjeve me karrige. Tre prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës, ndërsa më pas pritet të shoqërohen në komisariat së bashku me personin e katërt për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga hetimet e para dyshohet se konflikti ka lindur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi hapësirën publike, konkretisht për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në ambientet e jashtme të dy lokaleve. Policia ka nisur hetimet dhe pritet të marrë deklaratat e të përfshirëve për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.