Një tjetër procedurë prokurimi nën ombrellën e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), i drejtuar nga Arlinda Pogaj, po ngre dyshime serioze për klientelizëm dhe mungesë të theksuar transparence. Me një manovër që "përzë" konkurrencën, institucioni ka shpallur fituesin e tenderit për sigurimin KASKO të mjeteve të Gardës së Republikës, duke i kaluar rreth 100 mijë euro me TVSH kompanisë "INSIG" në pronësi të Kadri Morinajt.

Ajo që e bën këtë tender REF-80254-03-27-2026 një rast për investigim mbi prokurimet publike është përputhshmëria e frikshme mes fondit limit dhe ofertës fituese.
Fondi limit: 8,320,819.00 lekë pa TVSH
Vlera e shpallur fituese: 8,303,163.00 lekë pa TVSH
Nga një llogaritje e thjeshtë, rezulton se kompania e Morinajt ka fituar duke ofruar 99.8% të vlerës maksimale. Në një treg ku logjika e prokurimit kërkon ulje çmimi përmes konkurrencës, Arlinda Pogaj ka firmosur një kontratë ku kursimi për shtetin është thuajse zero, vetëm 17 mijë lekë të reja ose rreth 160 euro.

Dokumentacioni i tenderit zbulon skandalin tjetër: Në garë nuk ka pasur asnjë ofertues tjetër. Pavarësisht se tregu i sigurimeve në Shqipëri është i mbushur me operatorë, asnjë kompani tjetër nuk ka guxuar ose nuk është lejuar të hyjë në këtë procedurë.
Ky fenomen i "operatorit të vetëm" ngre dyshime të forta mbi kriteret e hartuara nga OBP nën drejtimin e Pogajt. Kur një tender shpallet me kritere që i përshtaten vetëm një kompanie, gara asfiksohet dhe fituesi është i paracaktuar që në momentin e shpalljes në sistemin e Prokurimeve Publike.

Nën menaxhimin e Arlinda Pogajt, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka marrë kompetencën për të kryer tendera në emër të shumë institucioneve, por rastet si ky i Gardës dëshmojnë se ky përqendrim po shërben më shumë për të "centralizuar" përfituesit sesa për të rritur efikasitetin e parave publike.
Kur fondi limit preket me 99.8% dhe në garë merr pjesë vetëm një person, pyetja nuk është më "kush fitoi", por "pse u lejua të shkatërrohej gara"? Për Kadri Morinajn, kjo ishte një tjetër kontratë e majme që i shtohet portofolit, ndërsa për Arlinda Pogajn, ky mbetet një tjetër tender që "kundërmon" paracaktim.