Tensionet mes SHBA dhe Iranit rrezikojnë të shpërthejnë sërish, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë një urdhër të fortë për ushtrinë.
Ai deklaroi se marina amerikane duhet të “qëllojë për të eleminuar” çdo anije iraniane që vendos mina në Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas Trump, operacionet për pastrimin e minave në këtë korridor strategjik do të trefishohen, ndërsa SHBA pretendon se ka “kontroll total” mbi zonën.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo sulmi dhe ka vendosur heqjen e bllokadës si kusht për rifillimin e negociatave me SHBA.
Ngushtica e Hormuzit është kthyer në epiqendrën e konfliktit, pasi përmes saj kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë. Mbyllja e saj ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve dhe presion politik brenda vetë SHBA-së.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka ndërmarrë edhe aksione të tjera në det, duke ndaluar dhe kontrolluar anije të lidhura me Iranin, ndërsa Teherani ka kapur disa mjete lundruese të huaja, duke i akuzuar për shkelje të rregullave detare.
Pavarësisht armëpushimit të brishtë, situata mbetet shumë e tensionuar dhe çdo incident i ri mund të çojë në rikthimin e luftës së hapur mes dy vendeve.
Në një tjetër deklaratë, Trump pretendoi se brenda Iranit ka përçarje mes drejtuesve, por zyrtarët iranianë e kanë mohuar këtë, duke theksuar se vendi është i bashkuar përballë presionit amerikan.