Ministrja Sala: “Sot në QSUT nuk mungon asnjë ilaç”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.04.2026, 19:34

Në një sallë ku koha duket se ka ndaluar dhe realiteti jashtë mureve të Ministrisë nuk depërton, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka lëshuar deklaratën që do të bënte xheloz çdo sistem shëndetësor të botës së parë: “Sot në QSUT nuk mungon asnjë bar!”

Sipas ministres, raftet e farmacisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po pëlcasin nga bollëku. Por, kjo deklaratë "optimiste" u përplas menjëherë me dëshmitë rrëqethëse të deputetëve të opozitës dhe qindra raportimeve mediatike që flasin për një realitet krejt tjetër: atë të pacientëve që "presin radhën" për të mbijetuar.

Radha e vdekjes dhe ilaçet që ekzistojnë vetëm në letra

Ndërsa ministrja fliste për disponueshmëri të plotë, deputeti Kliti Hoti i kujtoi asaj rastin e një pacienti me Hepatit C, në stadin e katërt, i cili renditet i shtati në radhë për të marrë mjekimin jetik. “Shpresoj të jenë gjallë deri në atë moment,” ironizoi Hoti, duke i vënë vulën dëshpërimit të familjarëve që çdo ditë përplasen me dyert e farmacisë spitalore për të dëgjuar fjalët "nuk ka".

Ironia bëhet edhe më e thiktë kur kujton dhjetëra kronika televizive dhe denoncime në rrjetet sociale, ku familjarët e pacientëve në Onkologjik detyrohen t’i blejnë medikamentet e kimioterapisë me çmime stratosferike në tregun e zi apo në farmacitë private, pasi spitali "nuk i ka në gjendje". Por për ministren Sala, këto duken si thashetheme mediatike, pasi në botën e saj, inventari është "full".

Onkologjiku në "komë": 30 poltronë për 120 pacientë

Deputetja Erisa Xhixho ekspozoi më tej këtë "mrekulli" shëndetësore. Sipas saj, në spitalin Onkologjik — vendi ku koha është flori për jetën — pajisja e brakiterapisë nuk punon prej 8 muajsh, duke lënë në mëshirë të fatit 200 gra e vajza.

Më tej, për 120 pacientë që kanë nevojë për kimoterapi në ditë, ka vetëm 30 poltronë. Me sa duket, pjesa tjetër e pacientëve duhet të shijojë "bollëkun e barnave" të ministres duke pritur në këmbë ose në korridore, pasi as pajisjet bazë nuk janë në funksion. Përgjigja e ministres? Një premtim tjetër: "Do rregullohet brenda vitit 2026." Pacientët, sigurisht, ftohen të kenë durim me kancerin.

Analizat me "racione" dhe tregu i barnave

Debati u nxeh edhe për koncesionin e laboratorëve. Deputeti Bardh Spahia ngriti shqetësimin se pas datës 20 të çdo muaji, analizat bëhen me kursim pasi koncesionari plotëson planin. Ministrja Sala, me një qetësi olimpike, pranoi se "mund të shtyhen disa analiza rutinë", por siguroi se urgjencat nuk preken. Një lloj shëndetësie me kalendar: nëse sëmureni pas datës 20, lutuni që diagnoza juaj të klasifikohet si "urgjente" nga privati.

Në fund, ministrja mbylli interpelancën duke mohuar edhe qarkullimin e barnave të skaduara, duke u shprehur se asnjë qytetar nuk ka marrë barna të tilla.

Përtej mureve të Kuvendit, qytetarët vazhdojnë të përballen me listat e gjata, pajisjet që rregullohen "vitin tjetër" dhe ilaçet që sipas ministres nuk mungojnë, por që askush nuk i gjen në spital kur i duhen. Me sa duket, në QSUT nuk mungon asnjë bar... përveç atyre që u duhen pacientëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit