Lufta e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit po sjell pasoja që po ndihen drejtpërdrejt edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Së fundmi, kompania më e madhe në botë për prodhimin e prezervativëve, Karex, ka paralajmëruar rritje çmimesh deri në 30%, madje edhe më shumë nëse konflikti vijon.
Sipas drejtuesit të kompanisë, kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm për shkak të bllokimit të zinxhirit të furnizimit. Një nga goditjet më të mëdha vjen nga tensionet në Ngushticën e Hormuzit, ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror në botë.
Materialet bazë për prodhimin e prezervativëve, si amoniaku dhe lubrifikantët me bazë silikoni, varen drejtpërdrejt nga industria e naftës, duke bërë që çdo luhatje në treg të përkthehet në rritje çmimesh.
Ndërkohë, kërkesa për prezervativë është rritur me rreth 30% këtë vit, ndërsa kostot e transportit dhe vonesat në furnizim po përkeqësojnë situatën.
“Kur ka pasiguri për të ardhmen, njerëzit bëhen më të kujdesshëm. Askush nuk do një gojë më shumë për të ushqyer në kohë krize”, u shpreh drejtuesi i kompanisë.
Rritja e çmimeve të prezervativëve është vetëm një nga efektet zinxhir të luftës, pasi janë rritur edhe çmimet e biletave të fluturimeve, plehrave kimike dhe produkteve të tjera bazë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet vazhdojnë, qytetarët në mbarë botën do të përballen me një rritje të mëtejshme të kostos së jetesës, edhe në detajet më të papritura të përditshmërisë.