Lista e rimbursimit 2026: një buxheti i shpërdoruar dhe pacientët në mëshirë të fatit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.04.2026, 16:40

Ajo që po ndodh me listën e rimbursimit për vitin 2026 nuk është thjesht një problem organizimi. Procesi është shoqëruar me paqartësi, mungesë transparence dhe vendimmarrje që në shumë raste ka qenë e vështirë për t’u kuptuar edhe nga aktorët e sektorit.

Sipas kuadrit ligjor (VKM nr. 314, datë 24.05.2023), parashikohen marrëveshjet e posaçme me kompanitë farmaceutike (MEA), një instrument i përdorur gjerësisht në vende të tjera për të ulur kostot dhe për të rritur aksesin e pacientëve në barna. Në praktikë, këto marrëveshje duhet t’i mundësonin shtetit kursime të rëndësishme dhe përfshirje më të madhe të barnave inovative. Por këtë vit, ato duket se nuk janë përdorur në mënyrë efektive, duke lënë pas një mundësi të humbur për kursime me vlerë të lartë.

Nga ana tjetër, buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për barnat dhe pajisjet mjekësore është rreth 135 milionë euro në vit, ku përfshihet edhe një shtesë prej 15 milionë eurosh për vitin 2026. Kjo shtesë është prezantuar si një hap përpara, por në praktikë rezulton se mbulon vetëm një numër shumë të kufizuar barnash inovative, rreth 3 deri në 5.

Ndërkohë, në diskutim përmendet një listë me 35–40 barna të reja, kryesisht terapi inovative nga kompani të njohura ndërkombëtare. Kostoja mesatare e përfshirjes së një bari të tillë vlerësohet rreth 4.5 milionë euro në vit, çka do të kërkonte një buxhet shumë më të lartë se ai aktual. Në total, përfshirja e gjithë këtyre barnave do ta tejkalonte ndjeshëm buxhetin ekzistues të FSDKSH-së, madje edhe pa llogaritur barnat që tashmë rimbursohen dhe që kushtojnë rreth 120 milionë euro në vit.

Kjo krijon një mospërputhje të qartë mes pritshmërive dhe realitetit financiar, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e skemës dhe mënyrën e prioritizimit të barnave. Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, rreziku është që sistemi të përballet me vështirësi serioze në menaxhimin e fondeve dhe në garantimin e aksesit të pacientëve në trajtime.

Edhe mënyra e ndërtimit të listës ka ngritur shqetësime, pasi sipas informacioneve, procesi teknik nuk ka qenë plotësisht transparent dhe ka pasur debate mbi përzgjedhjen e barnave dhe analizën e kostove reale. Kjo ka shtuar dyshimet për mungesë vlerësimi të plotë financiar dhe mungesë konsistence në vendimmarrje.

Në këtë kontekst, problemi nuk shihet më vetëm si çështje teknike apo buxhetore, por si një mospërputhje e thellë mes premtimeve publike, kapaciteteve reale financiare dhe mënyrës së menaxhimit të procesit të rimbursimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit