Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vijuar me veprime të tjera hetimore në kuadër të dosjes “Veliaj”.
Sipas burimeve, ditën e djeshme, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në zyrat e kompanisë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet i arrestuar dhe po hetohet për pesë vepra të rënda penale.
Gjatë kontrolleve, hetuesit kanë sekuestruar një sërë materialesh, përfshirë kontrata, dokumente dhe fatura shërbimesh, të cilat pritet të analizohen në kuadër të hetimeve që po zhvillohen.
Ndërkohë, seanca gjyqësore e planifikuar për sot në GJKKO ndaj Arbër Veliajt është shtyrë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj për shkaqe procedurale.
Hetimet në lidhje me këtë dosje vijojnë.