Banorët dhe kalimtarët e Bulevardit të Ri, përgjatë rrugës që të nxjerr drejt “Jordan Misjas”, kanë ngritur shqetësime të shumta lidhur me praninë e qenve endacakë në këtë segment.
Sipas denoncimeve të vazhdueshme, situata në zonë është bërë problematike, veçanërisht gjatë orëve të natës, ku kalimi për këmbësorët është kthyer në një vështirësi reale dhe shpeshherë edhe në rrezik. Qentë endacakë lëvizin në grupe, duke krijuar frikë dhe pasiguri tek banorët, të cilët shprehen se nuk ndihen të qetë as gjatë lëvizjeve të shkurtra në zonë.
Banorët thonë se kanë bërë ankesa të përsëritura pranë autoriteteve përkatëse, por deri tani situata nuk ka gjetur zgjidhje. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për menaxhimin e qenve endacakë dhe marrjen e masave të nevojshme, në mënyrë që zona të mos mbetet një burim i vazhdueshëm rreziku për komunitetin.
Sipas tyre, mungesa e ndërhyrjes e ka kthyer këtë segment në një zonë problematike, ku lëvizja e lirë e qytetarëve është e kufizuar, veçanërisht në orët e mbrëmjes.
Banorët apelojnë ndaj autoriteteve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt, duke marrë masa për sistemimin dhe akomodimin e qenve endacakë dhe garantimin e sigurisë publike në zonë.