Prokuroria e Posaçme ka shtyrë me tre muaj hetimet për ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Vendimi është arsyetuar me nevojën për më shumë kohë në dispozicion për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore që lidhen me çështjen.
Sipas burimeve, prokurori i posaçëm Dritan Prençi ka firmosur vendimin mbi 100 faqe më 13 prill, i cili u është komunikuar edhe avokatëve të të pandehurve. Në dokument theksohet se hetuesit janë duke vijuar me veprime të tjera që i konsiderojnë të domosdoshme për zbardhjen e plotë të rrethanave.
SPAK bën me dije se kërkohet më shumë kohë për të marrë dëshmitë e personave që kanë dijeni për çështjen, përfshirë ish-vartës dhe persona të afërt me Ballukun. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe tendera të tjerë, ku dyshohet se janë paracaktuar fituesit në projekte me vlerë totale rreth 210 milionë euro.