Gjendja e Unazës së Poshtme të Burrelit po kthehet në një simbol të dështimit institucional dhe papërgjegjshmërisë në menaxhimin e investimeve publike. Një projekt që kushtoi rreth 1.2 milionë euro dhe që duhej të ishte funksional prej muajsh, sot paraqitet i shkatërruar në disa segmente, me shembje dhe fundosje që e bëjnë të pakalueshëm. Pamjet në terren flasin vetë, infrastruktura nuk ka rezistuar as për një periudhë minimale, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre.
Rruga ka që në janar që është shembur, por firma kontraktore “Ulza sh.p.k” me pronar Ndue Shpani, nuk ka ndërhyrë për të riparuar dëmtimet e konstatuara më herët, duke lejuar degradimin progresiv të rrugës. Kjo heshtje dhe mungesë reagimi përbën jo vetëm shkelje të detyrimeve kontraktuale, por edhe një dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët, të cilët detyrohen të përballen çdo ditë me pasoja konkrete nga vështirësitë në qarkullim deri te rritja e rrezikut për aksidente.
Ndërkohë, pavarësisht premtimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar me drejtues Ami Kozeli për ndërhyrje të reja dhe zgjidhje teknike si ndërtimi i pilotave në një segment prej 300 metrash, situata mbetet e pandryshuar. Mosnisja e investimit të ri dhe mungesa e transparencës mbi përgjegjësitë për këtë dështim e thellojnë edhe më shumë krizën. Në vend të zgjidhjes, qyteti i Burrelit vazhdon të përballet me një problem që jo vetëm rëndon trafikun urban, por edhe minon besimin e publikut te institucionet.