Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.04.2026, 09:34
Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria shqiptare po avancon me projektin “Porta e Alpeve”, një paketë prej 100 milionë eurosh për Shkodrën, që prezantohet si investim për zhvillimin e turizmit malor, por që në terren po lexohet gjithnjë e më shumë si vazhdim i një modeli të njohur politik, shpërndarje investimesh publike në moment elektoral dhe në zona me peshë elektorale. Përqendrimi i fondeve në këtë moment ngre dyshime të forta për një përdorim të drejtpërdrejtë elektoral. Në thelb, kjo duket më shumë si një përpjekje për të ndikuar votuesit sesa një politikë e menduar afatgjatë për zhvillimin e zonës
Në plan parashikohen investime në infrastrukturë rrugore, ujësjellës-kanalizime, ndërhyrje urbane dhe projekte që lidhen me turizmin e qëndrueshëm, të financuara përmes një kombinimi kredie dhe fondesh nga buxheti i shtetit. Por pyetja kryesore mbetet: pse këto investime “urgjente” shfaqen gjithmonë në prag zgjedhjesh? Ky model është bërë i përsëritur, duke e kthyer buxhetin publik në një instrument për përfitim politik dhe jo në një mjet të qëndrueshëm zhvillimi për komunitetet lokale.
Ky projekt vjen pas “Paketës së Maleve”, dhe ngre një debat të fortë për mënyrën se si po trajtohet ekonomia lokale në veri. Në praktikë, skema të tilla investimesh, të kombinuara me kredi dhe fonde shtetërore, krijojnë kushte të favorshme për investitorë të mëdhenj dhe grupe të lidhura me pushtetin, ndërsa biznesi familjar mbetet në pozita të brishta. Modeli që po ndërtohet nuk duket se mbështet rritjen organike të ekonomisë lokale, por përqendrimin e saj në pak duar me kapital të lartë.
Ky perceptim forcohet edhe nga ajo që ndodhi në Theth, ku një vit më parë u prishën dhjetëra bujtina të ngritura nga banorët vendas, që kishin ndërtuar ekonominë e tyre mbi turizmin familjar. Kjo kontradiktë ushqen dyshimin se zhvillimi po orientohet më shumë drejt “lojtarëve të mëdhenj”, duke lënë në hije ata që e kanë ndërtuar vetë ekonominë e zonës. Kjo e bën projektin “Porta e Alpeve” të duket më shumë si një lëvizje politike për të marrë vota sesa një vizion i sinqertë për zhvillim.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR