Arrestohet ‘bosi’ i Call Center-ave dhe polici mbrojtës, në skenë edhe një grua

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.04.2026, 08:32

Një operacion i gjerë kundër call center-ave mashtrues është zhvilluar në Tiranë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke çuar në goditjen e një aktiviteti të mirëorganizuar kriminal që synonte mashtrimin e qytetarëve të huaj. Aksioni u realizua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Kontrollet u ushtruan në disa ambiente në kryeqytet, përfshirë një call center që operonte pranë gjimnazit “Sami Frashëri”. Operacioni erdhi pas disa muajsh hetime intensive, të nisura mbi bazën e informacioneve të ardhura nga autoritetet franceze.

Sipas burimeve hetimore, në pranga ka rënë pronari i aktivitetit, Gentjan Pjetërgjokaj, i dyshuar për mashtrim me pasoja të rënda. Ai dyshohet se fshihej pas kompanisë “IVISION.AL” shpk, ndërsa në dokumente administratore rezulton Anisa Muçollari. Gjatë operacionit është ndaluar edhe një efektiv policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1, ndaj të cilit janë kryer kontrolle në banesë dhe i është sekuestruar telefoni për verifikime të mëtejshme. Hetuesit dyshojnë për përfshirje apo mbështetje të mundshme në aktivitetin kriminal.

Ky është rasti i dytë brenda një jave që autoritetet godasin rrjete mashtrimi përmes call center-ave në Tiranë. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër operacion çoi në zbulimin e tre qendrave të tilla dhe arrestimin e disa personave, ndërsa hetimet që kishin nisur në Austri zbuluan një skemë mashtrimi që dyshohet se ka shkaktuar mbi 50 milionë euro dëme. Po ashtu, një tjetër bazë mashtrimi u zbulua në fshatin Bërzhitë, e regjistruar si biznes turizmi mjekësor, por që në fakt shërbente si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin dhe lidhjet ndërkombëtare të kësaj veprimtarie.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit