Ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit: Emrat e rinj që marrin drejtimin e Operacionales, Antiterrorit dhe Tiranës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.04.2026, 22:18

Me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, strukturat policore në të gjithë vendin janë përfshirë nga një valë e gjerë lëvizjesh dhe emërimesh që prekin nivelet drejtuese qendrore dhe ato vendore. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka ndodhur në Drejtorinë e Forcës Operacionale, ku drejtimin e ka marrë Alban Dautaj, i cili vjen pas një eksperience në krye të strukturës së Antiterrorit. Vendin e lënë bosh prej tij në krye të Antiterrorit do ta zërë Edmond Sula, duke riorganizuar kështu dy nga hallkat më delikate të sigurisë në vend.

Ndryshime rrënjësore janë regjistruar edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku posti i nëndrejtorit i është besuar Oliger Torbës, i cili deri më tani ka shërbyer në të njëjtin pozicion në qytetin e Fierit. Ai vjen në këtë detyrë pas largimit të Besmir Dervishit, ky i fundit i transferuar si shef i krimeve në volum në qytetin e Kukësit. Po ashtu, brenda kryeqytetit ka pasur lëvizje edhe në nivel komisariatesh, ku Ermal Kënaçi është liruar nga drejtimi i Komisariatit nr. 2 për t'u transferuar në Kukës, ndërsa në vend të tij është emëruar Alfred Cenaj.

Harta e emërimeve të reja është shtrirë edhe në Veri të vendit, ku Drejtoria e Policisë Lezhë tashmë do të drejtohet nga Kreshnik Alimadhi. Ky emërim vjen pas dorëheqjes së papritur të drejtorit të deritanishëm Islor Islami. Ndërkohë, lëvizjet kanë prekur edhe Drejtorinë e Policisë në Dibër, ku numri dy i kësaj strukture është emëruar Gentian Ndoj, i cili mbante më parë postin e rëndësishëm të Drejtorit për Hetimin e Krimit Financiar në nivel qendror.

Ky riorganizim, i cili ka prekur gjithashtu pozicionet e nëndrejtorëve në Shkodër e Fier, vjen në një moment kur Policia e Shtetit synon të rrisë eficiencën dhe të rifreskojë strukturat drejtuese për t'u përshtatur me sfidat e reja të sigurisë. Sipas burimeve, këto transferime brenda rradhëve të policisë konsiderohen si lëvizje taktike për të forcuar parandalimin dhe hetimin e krimit në të gjitha drejtoritë vendore përmes rotacionit të kuadrove drejtues.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit