Një tallje e radhës me qytetarët është konsideruar vendimi më i fundit i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Mbrëmjen e djeshme, në një mbledhje urgjente ku opozita dhe mazhoranca bënë "paqe" për të kaluar fondet, është miratuar një bonus qiraje prej 40 mijë lekësh për familjet e kompleksit “Arlis”, banesat e të cilëve u përfshinë nga flakët javë më parë.
Në pamje të parë duket si ndihmë, por në fakt është një "lëmoshë" që nuk mbulon as gjysmën e kostove të jetesës në kryeqytet. Ky vendim vjen pasi banorët panë vdekjen me sy në një zjarr që rrezikoi t'i digjte brenda shtëpive të tyre, ndërsa sot trajtohen nga bashkia me shifra qesharake.
Në dokumentin e miratuar, parashikohet që çdo familje e prekur do të marrë 40 mijë lekë në muaj deri në rikthimin në banesat e rikonstruktuara. Por, duket se zyrtarët e Bashkisë Tiranë jetojnë në një realitet tjetër ose nuk e njohin fare tregun e qirave në qytetin që drejtojnë.
Në zonën e kompleksit "Arlis" dhe rrethina, qiratë për një apartament mesatar (2+1) kanë arritur nivele marramendëse, duke u luhatur nga 65 mijë deri në 75 mijë lekë në muaj. Me 40 mijë lekët e Këshillit Bashkiak, banorët e mbetur rrugëve jo vetëm që nuk gjejnë dot një strehë të ngjashme me atë që kishin, por do t'u duhet të fusin dorën thellë në xhep për të mbuluar diferencën, në një kohë që pasuria e tyre u bë shkrumb e hi, për faj të dështimit të autoriteteve për të siguruar ndërtim me materiale anti-zjarr.
Ndërsa çmimet e qirave në Tiranë rriten çdo muaj pa asnjë kontroll, Bashkia mjaftohet me një shifër që mund të kishte vlerë vite më parë. Përveç kësaj, banorët do të duhet të përballen me një mal me dokumente, vërtetime nga Kadastra dhe njësi administrative, për të përfituar këtë shumë që në fund të ditës, nuk mjafton as për të paguar detyrimet bazë.
Projektvendimi u kalua pas dy orësh debatesh, ku opozita dha votën "pro", por kjo nuk e zbut faktin që ndihma është tërësisht jashtë realitetit ekonomik të Tiranës në vitin 2026. Ndërkohë që për transportin publik u miratua subvencionimi i karburantit për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, për qytetarët që desh u dogjën brenda pallatit, Bashkia ka zgjedhur të jetë "dorështrënguar".
Ky vendim pritet të shkaktojë revolte te familjet e prekura, të cilat përveç traumës së zjarrit, tashmë duhet të bëjnë llogaritë se si do të mbijetojnë në një qytet ku çmimi i strehimit po bëhet i papërballueshëm për njerëzit e thjeshtë.