Është liruar ditën e sotme nga burgu reperi Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si “Cllevio”. 39-vjeçari po vuante dënimin në burgun e Fierit që prej tetorit të vitit 2025, pas ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ahmeti u dënua për veprat penale të përndjekjes dhe thyerjes së masës së sigurisë, akuza që lidhen drejtpërdrejt me konfliktin e tij të hershëm me reperin Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Kjo përplasje mes dy artistëve ka pasur edhe episode të rënda. Vite më parë, pas një konflikti fizik mes tyre, Ahmeti dyshohet se i kërkoi mikut të tij, Laert Haxhiu, të vendoste lëndë plasëse në butikun e Noizyt në Durrës. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën ballore të biznesit dhe ngjarja mori vëmendje të madhe publike.
Paralelisht, rrjetet sociale u kthyen në një arenë përplasjesh të forta mes dy reperëve, duke e bërë konfliktin edhe më të ekspozuar për publikun.
Dy vite më vonë, kjo ngjarje është përfshirë si episod kriminal në dosjen e SPAK, ndërsa prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme dënimin e personave përgjegjës, pjesë e grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu.