Një ngjarje që mund të përfundonte në tragjedi u shmang në Tiranë falë reagimit të shpejtë të efektivëve të Policisë së skuadrës "Shqiponjat" . Një grua para Prokurorisë së Tiranës, në gjendje të rënduar emocionale, kërcënonte se do t’i vinte flakën vetes, ndërsa mbante një bidon me lëndë djegëse dhe po përgatitej për aktin ekstrem.
Në momentin më kritik, policët ndërhynë me vendosmëri dhe guxim, duke rrezikuar edhe sigurinë e tyre për të shpëtuar jetën e qytetares. Ata arritën t’ia heqin bidonin nga duart dhe ta neutralizojnë situatën në kohë rekord, duke parandaluar një pasojë fatale.
Falë këtij veprimi heroik, gruaja u shpëtua pa pësuar lëndime të rënda dhe tashmë pritet të marrë ndihmën e nevojshme. Ndërhyrja e efektivëve të skuadrës "Shqiponjat" vlerësohet si një shembull i qartë i përkushtimit dhe humanizmit në shërbim të jetës së qytetarëve.