Del në gjyq shqiptari që vrau me çekiç gruan, përballet me nënën e viktimës: Më kthe vajzën time

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 22.04.2026, 18:20

Seanca e radhës për një nga krimet më tronditëse të viteve të fundit është zhvilluar sot në Greqi, ku në bankën e të akuzuarve ndodhet Kastriot Cenko, shqiptari që dy vite më parë vrau bashkëshorten e tij dhe fshehu trupin në papafingon e banesës.

Gjatë dëshmisë së tij, i pandehuri mohoi akuzën ashtu siç është ngritur, duke pretenduar se nuk ka pasur paramendim dhe se gjithçka ndodhi në një gjendje të rënduar emocionale. Ai u shpreh se nuk ishte në gjendje të qetë mendore në momentin e ngjarjes, ndërsa kërkoi falje publike për fëmijët e tij dhe familjen e viktimës. “Dua t’u kërkoj falje të thellë fëmijëve të mi që i ndava nga nëna e tyre, si dhe familjes së saj”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Në anën tjetër, dëshmia e nënës së viktimës, Alba Cenko, solli një panoramë të dhimbshme të jetës së së bijës. Mes lotësh, ajo tregoi se Alba punonte pa pushim për të mbajtur familjen, pasi sipas saj, bashkëshorti nuk siguronte të ardhura. Ajo kujtoi edhe telefonatën e fundit nga dhëndri, i cili u përpoq të krijonte alibi duke pretenduar se e bija ishte larguar.

“E pyesja veten nëse ishte e vërtetë. Kur pyeta nipin tim ‘ku është nëna jote’, ai më tha ‘nuk e di’”, dëshmoi ajo, duke shtuar se vajza i kishte rrëfyer shpesh për vështirësitë në martesë, por kurrë nuk kishte menduar të linte fëmijët apo familjen.

Me një dhimbje që nuk fshihej, nëna e viktimës u shpreh se asgjë nuk mund ta zëvendësojë humbjen e së bijës: “Nuk dua t’i bëjnë asgjë, dua vetëm të ma kthejnë vajzën. A mundet?”, tha ajo mes lotësh.

Krimi i rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024 në zonën e Ampelokipi. Sipas hetimeve, pas vrasjes me çekiç, autori e mbajti trupin e bashkëshortes të fshehur për një javë në papafingo, ndërsa ndërkohë përdori celularin e saj për të mashtruar familjarët dhe për të fshehur zhdukjen. Dyshohet se ai ushqente prej kohësh bindjen se gruaja e tradhtonte, një dyshim që, sipas akuzës, përfundoi në një akt ekstrem dhe tragjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit