Një skemë e dyshuar emërimesh brenda Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe pavarësinë e këtij institucioni. Në fokus të këtyre zhvillimeve është Drejtori i Përgjithshëm Eduart Merkaj dhe drejtori rajonal i Durrësit, Endri Mema, ku ky i fundit ushtron funksionin në një degë që varet drejtpërdrejt nga qendra. Paralelisht, djali i tij, Sergio Mema, rezulton i emëruar si këshilltar në kabinetin e kreut të AMP-së në Tiranë, duke krijuar një raport të ndërlikuar hierarkik dhe institucional.
Më tej, struktura në Drejtorinë Rajonale të Durrësit përfshin edhe një tjetër lidhje familjare. Në postin e Shefit të Sektorit shërben Butrint Imeri, i cili sipas burimeve është kushëri i drejtpërdrejtë i Endri Memës. Ky kombinim rolesh brenda së njëjtës njësi organizative ngre dyshime për përqendrim të vendimmarrjes dhe mundësi ndikimi në proceset e brendshme, përfshirë hetimet dhe inspektimet që duhet të jenë të paanshme.
Sipas Pamfleti, këto zhvillime vijnë në një kohë kur AMP ka si mision kryesor goditjen e korrupsionit brenda Policisë së Shtetit dhe garantimin e standardeve të larta të integritetit. Raste të tilla, rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut dhe të cenojnë funksionimin e drejtë të institucionit, duke e kthyer atë në një strukturë ku lidhjet familjare peshojnë më shumë sesa meritokracia dhe profesionalizmi.