Një atmosferë elektrizuese përfshiu të martën stadiumin e RCD Mallorca, në prag të sfidës së javës së 33-të në La Liga ndaj Valencia CF, e cila përfundoi në barazim 1-1. Por vëmendja nuk ishte vetëm te rezultati, protagonist u bë edhe një moment i veçantë dedikuar sulmuesit shqiptar Vedat Muriqi.
Pak para nisjes së ndeshjes, tribunat u shndërruan në një spektakël mbresëlënës vizual. Një koreografi gjigante me portretin e Muriqit dhe mbishkrimin “Ishulli i Piratit” pushtoi stadiumin, duke reflektuar lidhjen e fortë që ai ka krijuar me klubin dhe tifozët.
Sezoni i shkëlqyer që po zhvillon sulmuesi shqiptar e ka kthyer atë në figurën qendrore të ekipit. Me 21 gola dhe një asist, Muriqi po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij, duke qenë vetëm tre gola larg Kylian Mbappé në garën për “Pichichi”, çmimin për golashënuesin më të mirë të kampionatit.
Adhurimi i tifozëve nuk u ndal vetëm te banderola. Në tribuna spikasnin edhe kapele me simbolin e piratëve, një detaj domethënës që vulos statusin e Muriqit si “Pirati” i tyre, një figurë tashmë ikonike për skuadrën nga ishulli.