Në një situatë të tensionuar në tregjet e energjisë, ku çmimi i naftës është rritur ndjeshëm si pasojë e konfliktit në Iran dhe shqetësimeve për furnizimet pas bllokimeve në Ngushticën e Hormuzit, kompania gjermane Lufthansa ka vendosur të shkurtojë ndjeshëm operacionet e saj.
Grupi ajror ka njoftuar anulimin e rreth 20 mijë fluturimeve të planifikuara nga muaji maj deri në tetor të këtij viti. Sipas kompanisë, ky hap synon të ulë shpenzimet e larta për karburant, të cilat janë rritur pothuajse dy herë që nga fillimi i krizës në rajonin e Gjirit Persik.
Në një deklaratë zyrtare, Lufthansa sqaroi se pjesa më e madhe e fluturimeve të prekura i përket operatorit rajonal CityLine. Fillimisht, kjo degë ishte parashikuar të mbyllej në vitin 2027, por procesi i reduktimit duket se është përshpejtuar së fundmi.
Kjo lëvizje konsiderohet ndër më të mëdhatë e kompanisë në aspektin e shkurtimit të kapaciteteve operative, në një kohë kur shumë linja ajrore në botë po ulin ofertën e fluturimeve para sezonit veror, periudha më fitimprurëse për industrinë e aviacionit.
“Rreth 20 mijë fluturime rajonale do të hiqen nga orari deri në tetor, duke përfaqësuar afërsisht 40 mijë ton karburant aviacioni, çmimi i të cilit është dyfishuar që prej nisjes së konfliktit me Iranin”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, Lufthansa po ndërmerr edhe masa të tjera për menaxhimin e kostove, përfshirë sigurimin më të fortë të furnizimeve me karburant dhe mbrojtjen ndaj luhatjeve të çmimeve. Ndërkohë, linjat e tjera të grupit si ITA Airways, Austrian Airlines, Brussels Airlines, Eurowings, Discover dhe Air Dolomiti nuk preken nga këto shkurtime.